SEFF: Tranzicioni i gjelbër, efikasiteti energjetik, dixhitalizimi, investimet në kapitalin njerëzor dhe lidhja me vendet e rajonit – për rritje të qëndrueshme ekonomike

Në periudhë afatshkurtër – masat e targetuara janë në drejtim të përkrahjes së kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive të prekura drejtpërdrejt nga kriza si dhe ruajtjes së stabilitetit. Në periudhë afatmesme dhe afatgjate – nxitja e konkurrencës dhe rritjes përmes fokusit në reformat strukturore: tranzicioni i gjelbër, efikasiteti energjetik, dixhitalizimi, investimi në kapitalin njerëzor dhe lidhja me vendet e rajonit. Ky është mesazhi i panelit të parë të Forumit ekonomik, Shkup – # SEFF2022, i cili i referohet çështjes se si të reagojmë ndaj sfidave makroekonomike në kohë turbulente dhe në drejtim të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike.

Në këtë panel morën pjesë ministri i Financave Fatmir Besimi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë Delina Ibrahimaj, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës Hekuran Murati, ministri i Financave të Malit të Zi Aleksandar Damjanovi, guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska Bezoska, drejtori ekzekutiv alternativ i FMN-së, Luc Dresse, si dhe përfaqësuesja rezidente e FMN-së, Stephanie Eble, Vladimir Gligorov – hulumtues në Institutin e Vjenës, Gligor Bishev – kryetar i Këshillit për Hulumtime Strategjike dhe Edukim pranë Odës Eokomike të Tregtisë dhe Aleksandar Stojkov. Paneli u moderua nga Zoran Jovanovski – ekonomist dhe Vladimir Simiq – profesor universitar në Fakultetin e ekonomisë, biznesit dhe turizmit në Split.

Siç u theksua, gjatë dy viteve të fundit, bota dhe ekonomia vazhdimisht ballafaqohej nga goditje dhe tundime të reja – së pari pandemia, që është recesioni më i thellë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe më pas çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit që shkaktuan rritjen e çmimeve të produkteve primare, veçanërisht energjensave. Lufta në Ukrainë veproi si katalizator në rritjen e çmimeve të produkteve primare, duke shkaktuar çregullime të mëtejshme të zinxhirëve të furnizimit dhe rritje sa i përket kujdesit të investitorëve dhe konsumatorëve. Kërcënimet nga pandemia janë ende të pranishme dhe ekonomia botërore përballet me kriza të shumta njëkohësisht.

Në panel, gjithashtu u theksua se kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19 tregoi se sistemet ekonomike dhe financiare u bënë më rezistente që nga kriza financiare globale. Krijuesit e politikave ishin gjithashtu më të shpejtë sa i përket reagimeve. Pushtetet fiskale, përmes stimujve të fuqishëm në shumicën e ekonomive, arritën që ta amortizojnë ndikimin e Covid-19 në aktivitetin ekonomik.

Nga ana tjetër, si rezultat i krizës, hapësira fiskale u zvogëlua, ndërsa borxhi publik dhe deficiti fiskal shënuan rritje. Kjo imponon nevojën për reagime fiskale më të targetuara gjatë krizës së re.

Siç u theksua, politika monetare tani luan një rol krejtësisht të ndryshëm nga kriza paraprake. Nëse gjatë pandemisë përmes adaptimit të politikës monetare u sigurua likuiditeti i nevojshëm shtesë për ruajtjen e aktivitetit ekonomik dhe vendeve të punës, ku aktualisht pushtetet monetare e ngushtojnë atë me qëllim të uljes së pritshmërive inflacioniste.

Në diskutim u theksua gjithashtu edhe rëndësia e koordinimit të politikës fiskale dhe monetare për ruajtjen e stabilitetit.

Konkluzioni është se për ta ruajtur perspektivën e rritjes, reformat strukturore duhet të vazhdohen edhe në kohë krize, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të avancohet dhe të përshpejtohet konkurrenca, produktiviteti dhe të arrihet rritje e qëndrueshme ekonomike në periudhë afatgjate.