SEFF do të debatojë për sfidat makroekonomike: Mbështetja e qytetarëve dhe biznesit dhe ruajtja e stabilitetit janë qëllimet afatshkurtra

Mbështetja e standardit të qytetarëve, ndihma e biznesit dhe ruajtja e stabilitetit janë sfidat makroekonomike që vijnë nga kriza energjetike dhe e çmimeve. Objektivat e politikës fiskale, të zbatuara nga Ministria e financave, synojnë t’u përgjigjen këtyre sfidave në afat të shkurtë dhe në rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë. Në periudhën afatmesme, politika fiskale do të fokusohet në ndërtimin e një ekonomie më rezistente ndaj goditjeve dhe me norma rritjeje ekonomike më të larta dhe më të qëndrueshme.

Me qëllim të mbajtjes së një platforme të hapur për diskutim dhe shkëmbim idesh, Ministria e financave organizon Forumin Ekonomik Financiar Shkup – SEFF, i cili do të jetë me temën “Rritje e qëndrueshme në kohë pasigurie dhe përtej”. Një nga katër shtyllat mbi të cilat do të bazohet diskutimi do të jetë “Sfidat makroekonomike në kohë turbulente”, për të cilat në fund të këtij muaji do të debatojnë zyrtarë nga vendi dhe rajoni, akademikë dhe ekspertë të njohur të fushës. Në forum do të shkëmbehen përvoja mbi politikat dhe masat që ndërmerren në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë për tejkalimin e efekteve të krizave.
Bota, rajoni dhe vendi po përballen me kërcënime të reja si pasojë e ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit global, për shkak të rimëkëmbjes më të ngadaltë të ofertës në raport me kërkesën, si dhe kulminimit të tensioneve gjeopolitike si pasojë e luftës në Ukrainë. Pasoja e kësaj pritet të jetë një ngadalësim i rritjes globale, përfshirë rajonin, dhe një përshpejtim i normës së inflacionit mbi nivelet e ulëta karakteristike të dekadës së fundit.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, Banka Botërore në prill revidoi normën e rritjes së ekonomisë globale për vitin 2022 nga 4,1% në 3,2%, ndërsa FMN gjithashtu uli pritjet në krahasim me fillimin e vitit për 0,8 pikë përqindje në 3,6%. Tani për tani, skenarët bazë të organizatave financiare ndërkombëtare parashikojnë rritje në vitin 2022. FMN-ja këtë vit pret që inflacioni të përshpejtohet në ekonomitë e zhvilluara në 5,7% dhe 8,7% për vendet në zhvillim, për shkak të presioneve në rritje të çmimeve dhe zgjerimit të tyre në një numër më të madh produktesh.
Vitin e kaluar, ekonomia maqedonase ishte duke u rikuperuar nga kriza e koronës. Rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit, e mbështetur nga stimuli i fortë fiskal, si dhe nga lehtësimi i kufizimeve në lëvizje dhe udhëtime. Shkalla e papunësisë arriti një rekord të ulët në vend dhe varfëria vazhdoi prirjen e saj rënëse. Megjithatë, pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe kulminimit të presioneve të çmimeve, si në botë ashtu edhe në vendin tonë, pritshmëritë për rezultatin ekonomik ranë. Institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse presin rritje të ekonomisë sonë edhe këtë vit, me projeksionet e fundit ajo është ulur në 3,2% sipas FMN-së dhe 2,7% sipas Bankës Botërore. Edhe Ministria e financave do të dalë së shpejti me projeksione të reja makroekonomike.

Krijuesit e politikave ekonomike përballen me sfida të reja. Politika fiskale është plotësisht e fokusuar në absorbimin e goditjeve duke marrë masat e duhura kundër krizës. Masat fiskale të miratuara deri më tani për të përballuar krizën e çmimeve dhe krizën fiskale llogariten në rreth 615 milionë euro. Gjithashtu, buxheti suplementar do të krijojë hapësirë fiskale për masa të reja, në përputhje me zhvillimin e situatës.

Debati, shkëmbimi i ideve dhe përvojave është i mirëpritur në këto kohë, kur mund të nxjerrim përfundime si nga teoria ashtu edhe nga praktika për të krijuar zgjidhje optimale. Në atë drejtim është edhe SEFF-i, i cili për një kohë të shkurtë u bë platformë për diskutim dhe zhvillim të mendimit ekonomik.