Do të mbahet Konferenca e Tretë Vjetore e SEFF-it: “Evropa-PO, Evropa-TANI”

12 shtator 2023, Shkup – Në kuadër të platformës për diskutimin e politikave publike të krijuar nga Ministria e Financave – Forumi Ekonomik dhe Financiar i Shkupit (SEFF), më 15 shtator do të mbahet debati qendror vjetor, gjegjësisht Konferenca e Tretë Vjetore, me temën “Evropa – PO, Evropa – TANI”. Konferencën do ta hapin ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe komisioneri evropian për buxhet, Johannes Hahn. Qëllimi është diskutimi transparent dhe gjithëpërfshirës i temave relevante, në kohë kur për qytetarët tanë po hapen mundësi të reja të shumta për standard më të lartë, kushte më të avancuara jetese, siguri dhe perspektivë përmes integrimit evropian. 

Në këtë konferencë do të flasin edhe përfaqësues të rangut të lartë të bankave evropiane – Banka Evropiane e Investimeve, Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja, USAID-i, përfaqësues të qeverive nga vendi dhe rajoni, diplomatë, por edhe përfaqësues të sektorit të biznesit, publikut akademik etj. Diskutimi do të ndahet në katër panele: “Përshpejtimi i integrimit evropian dhe rajonal”; “Përmirësimi i mjedisit për prosperitet ekonomik”; “Gjeopolitika dhe politika” dhe “Tendencat globale dhe mundësitë e biznesit”. 

SEFF-i është  iniciativë e Ministrisë së Financave për unifikimin dhe debatin ndërmjet krijuesëve  të politikave  dhe përfaqësuesve politikë, partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit, shoqërisë civile, publikut akademik, sektorit të biznesit dhe ekspertëve të tjerë, me qëllim  krijimin e sinergjive të ideve dhe iniciativave për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen inkluzive, të përshpejtuar dhe të gjelbër. Kjo platformë është rezultat i  angazhimit për dialog transparent dhe inkluziv me të gjithë faktorët shoqërorë nga vendi, rajoni dhe më gjerë, duke pasur parasysh se gjithëpërfshirja është baza për sjelljen e vendimeve të qëndrueshme.