SHTYLLA 1. SFIDAT MAKROEKONOMIKE NË KOHË TË FURISHME

Paneli 1. Politikat fiskale

Pandemia nxjerr në pah dallimet dhe pabarazitë e mëdha ndërmjet rajoneve dhe vendeve dhe në kuadër të tyre. Qeveritë kanë siguruar përkrahje të madhe fiskale për rimëkëmbjen ekonomike, duke kufizuar pasojat e pandemisë, ku së fundmi, u përfshinë në mënyrë aktive në tregjet për zbutjen e ndikimit të krizës energjetike. Si të zbuten pasojat sociale nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjensave? A mund të vazhdojnë politikat dhe masat fiskale në kushtet e rritjes së borxhit publik? Si të arrihet ekuilibri i duhur midis konsolidimit fiskal dhe përkrahjes së mëtejshme të rritjes? Bankat qendrore sinjalizojnë se normat e interesit pritet të rriten së shpejti. Cili do të jetë rezultati nga rritja e normave të interesit? A do të vihet nën kontroll inflacioni? Cila do të ishte mënyra më e mirë për ta arritur këtë pa rrezikuar rimëkëmbjen?

Paneli 2. Politikat monetare

Politikat monetare janë të përshtatshme dhe përkrahën në mënyrë të fuqishme rimëkëmbjen ekonomike. Megjithatë, inflacioni është rritur ndjeshëm në muajt e fundit, para së gjithash, si rezultat i rritjes së çmimeve të energjensave dhe ushqimit. Bankat qendrore sinjalizojnë se së shpejti pritet rritja e normave të interesit. A do të vihet nën kontroll inflacioni? A mundet kreditë jofunksionale tа minojnë stabilitetin fiskal? A janë rezervat kapitale të mjaftueshme për të siguruar rezistencë të sistemeve bankare?

SHTYLLA 2. REZISTENCA, KONKURRENCA DHE BASHKËPUNIMI RAJONAL

Paneli 3. Përfitimet e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivat euroatlantike

Kriza energjetike, pengesat dhe çrregullimet e zinxhirëve të furnizimit, fluktuacioni dhe largimi i fuqisë punëtore (brain drain), presionet nga rritja e pagave dhe inflacioni në rritje, kushtet rregullatore… Udhëheqja e biznesit në rajonin e Evropës Juglindore është veçanërisht sfiduese në kohë të pasigurta. Diplomacia ekonomike mund të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin rajonal dhe perspektivat euroatlantike. Cilat janë pengesat kryesore për udhëheqjen e biznesit në rajon? Si të përforcohet bashkëpunimi rajonal? A kanë nevojë të gjitha bizneset për përkrahje qeveritare? Në periudhë afatgjate, plasimi i teknologjive të reja mund të ndikojë ndaj rritjes së produktivitetit. Si të vendoset ekuilibri ndërmjet rimëkëmbjes afatshkurtër me qëllimet afatgjata nga plasimi i teknologjive të reja? Si të përshpejtohet dixhitalizimi? A janë zonat e lira ekonomike vendimtare për promovimin e zhvillimit teknologjik? Si të krijohet sektor biznesi konkurrues dhe rezistent? Në çfarë mase është potenciali i dixhitalizimit në përmirësimin e rezistencës dhe konkurrencës?

SHTYLLA 3. ENERGJIA, TRANZICIONI I GJELBËR DHE INFRASTRUKTURA

Paneli 4. Energjia dhe tranzicioni i gjelbër

Zvogëlimi i ndikimit të ndotjes ndaj shëndetit dhe mjedisit jetësor duhet të merret parasysh gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive. Edhe pse mund të ketë legjislacion ekologjik, zbatimi i tyre është ende sfidë e madhe për rajonin. Përveç orientimit drejt zvogëlimit të ndikimit ndaj mjedisit jetësor, politikat energjetike janë gjithashtu të lidhura ngushtë me çështjet gjeopolitike. A është rritja e çmimeve të energjensave afatshkurtër ose e përkohshme? Si ndikon goditja aktuale e çmimeve të energjensave ndaj konkurrencës? A duhet të fokusohen qeveritë drejt lidhjes efektive energjetike apo drejt pavarësisë energjetike? Cilat janë perspektivat për mbështetje më të madhe në burimet e ripërtëritshme të energjisë si strategji dekarbonizimi? Si të modernizohet infrastruktura e përgjithshme e transportit, duke përfshirë zbutjen e ndryshimeve klimatike, adaptimin dhe përgatitjen e infrastrukturës për automjetet elektrike, paralelisht me rritjen e numrit dhe shfrytëzimit të tyre? Cilat janë praktikat më të mira për përmirësimin e efikasitetit energjetik? Si të financohet tranzicioni i gjelbër dhe si të krijohet një ekonomi e qëndrueshme? A mund të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme komunale, e cila përfshin zvogëlimin e ndotjes së ajrit, sfidat e transportit publik, infrastrukturën e ujit, menaxhimin me ujërat e zeza dhe mbetjet e ngurta?

Paneli 5. Infrastruktura, lidhshmëria dhe tregtia

Zhvillimi i infrastrukturës dhe shërbimeve që janë të realizueshme, të gjelbra, rezistente, të mirëmenaxhuara, të integruara dhe inkluzive mund të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm. Trendi i ri me rëndësi të madhe gjeopolitike në politikat tregtare, infrastrukturën dhe lidhshmërinë paraqet sfida veçanërisht për vendet e vogla dhe perspektivat e tyre të rritjes. Cilat janë prioritetet e investimeve në rajonin e Evropës Juglindore? A mund të jenë ngjarjet e fundit një pike kthese në bashkëpunimin rajonal? Si të arrihet ekuilibri midis përfitimeve afatshkurtra politike dhe efekteve afatgjata të zhvillimit të projekteve të infrastrukturës? Si të rritet kapaciteti i zbatimit për të përshpejtuar mbylljen e hendekut të infrastrukturës? Si të sigurohet hapësirë fiskale për investime në infrastrukturë? Si të mobilizohet sektori privat për të përmirësuar infrastrukturën energjetike? Çfarë lloj infrastrukture do të nevojiten në 5, 10, 20 vitet e ardhshme? Si të promovohen partneritetet publiko-private (PPP) me qëllim të përfshirjes së sektorit privat në nismat e shtetit? Cilët sektorë marrin më shumë hua për PPP? Si të bëhen investimet e suksesshme në energjetikë edhe me përfshirjen vetëm të sektorit privat?

SHTYLLA 4. PAS KRIZËS: BARTËSIT E RRITJES SË QËNDRUESHME

Paneli 6. Inovacionet financiare dhe investimet në kushte të pasigurisë

Paraqitja e instrumenteve të reja alternative të investimit, angazhimi më intensiv dhe më i drejtpërdrejtë i publikut të gjerë investues (“demokratizimi i tregut”), duke i dhënë rëndësi më të madhe dhe duke rritur shfrytëzimin e teknologjisë në financa, janë disa nga tendencat që karakterizuan periudhën e fundit. Ndryshimet rrënjësore në tregje dhe rritja e pasigurisë imponuan nevojën potenciale për inovacione në strategjitë “hedging” dhe instrumentet. Si të adaptohen tregjet financiare në kohë pasigurie? A janë investitorët si persona fizikë, bartësit e rinj të tregjeve dhe si duhet përshtatur rregullativa? A do të revolucionarizojë Fintech ndërmjetësimin dhe investimet? A mund të jenë çështjet e sigurisë kibernetike avantazh për institucionet tradicionale financiare? Si do të dukej e ardhmja e klasave të reja alternative të mjeteve? Si ndryshon koncepti i parasë dhe investimit?

Paneli 7. Sfidat e reja për qeverisje të mirë

Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sistemi gjyqësor profesional, efikas dhe i paanshëm janë parakushtet kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe krijimin e një mjedisi që mundëson rritje. Cilësia institucionale është thelbësore në lidhje me veçoritë mbizotëruese të prosperitetit në mbarë botën. Cilat janë sfidat kryesore në promovimin e qeverisjes së mirë? Si të intensifikohen reformat në administratën publike? A ka progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit në rajon? Në çfarë mënyre institucionet mund ta përkrahin rimëkëmbjen ekonomike?

Paneli 8. Kapitali njerëzor në shek. 21

Kapitali njerëzor është bartës kryesor ndaj produktivitetit, konkurrencës, inovacionit, perspektivave afatgjata të rritjes dhe uljes së varfërisë. Për të përmirësuar kapitalin njerëzor, vendet duhet të investojnë më shumë në cilësi dhe barazi në arsim. A munden politikat qeveritare të fokusohen mjaftueshëm në kapitalin njerëzor në periudhën (post) pandemisë? Cili është rreziku i investimeve të pamjaftueshme në shëndetësi dhe arsim? A mund t’i vlerësojmë pasojat ekonomike sa i përket humbjeve të kapitalit njerëzor lidhur me pandeminë dhe si mund të ballafaqohemi lidhur me to? Si të ruhet angazhimi afatgjatë përmes cikleve zgjedhore? Si të ballafaqohemi me largimin e fuqisë punëtore (brain drain)? Si të përfshihet diaspora në stimulimin e zhvillimit ekonomik?